Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbimin elektronik të informatave në programet e banimit social dhe të përballueshëm.
Sipas njoftimit të ministrisë, të dhënat për punësimin dhe të ardhurat e aplikuesve, si dhe të familjarëve të tyre, do të kontrollohen përmes Regjistrit Elektronik për Banimin Social dhe të Përballueshëm. Marrëveshja synon të avancojë shërbimet digjitale në këto programe.
MMPHI-ja thotë se qasja elektronike pritet të thjeshtojë procedurat administrative dhe ta bëjë verifikimin më të saktë e më efikas. Ajo synon edhe transparencë më të madhe gjatë shqyrtimit të kritereve që përcaktojnë përfitimin.
Marrëveshja përfshin masa për sigurinë dhe konfidencialitetin e informatave, si dhe për mbrojtjen e të dhënave personale, në pajtim me legjislacionin në fuqi.


