Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mbështet që pjesa praktike e provimit të jurisprudencës të zhvillohet në maqedonisht, ndërsa pjesa teorike të mund të jepet edhe në gjuhë të tjera.

Për pjesën teorike, kandidatët mund të testohen në shqip, turqisht ose anglisht. Rreth 400 studentë shqiptarë kërkojnë që provimin ta japin tërësisht në shqip, njësoj siç kanë ndjekur studimet universitare.

Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, tha se janë të gatshëm të vazhdojnë bisedimet, por kërkojnë argumente të qarta juridike dhe afate konkrete. «Nuk kërkojmë zgjidhje të pjesshme, por të drejtën e plotë», thanë studentët.

“Nuk kërkojmë zgjidhje të pjesshme, por të drejtën e plotë”
— Studentët shqiptarë

Ademi tha se propozimi nuk e zgjidh plotësisht problemin dhe se, edhe në skenarin më optimist, zbatimi mund të zgjasë më shumë se një vit. Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali tha se Qeveria po punon për zgjidhjen e çështjes, e cila do të përfshijë edhe provime të tjera profesionale.