Finalizimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe dorëzimi formal i tij te Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) ishin në fokus të takimit të kryeministrit Albin Kurti me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, të martën.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se dorëzimi formal u diskutua pas hyrjes në fuqi të ligjit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Njoftimi nuk thotë se aplikimi është dorëzuar dhe nuk jep afat për dorëzimin.
Në takim u diskutua edhe zhvillimi i sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone. Sistemi synon uljen e kostove të transaksioneve dhe rritjen e efikasitetit të pagesave.
Kurti dhe Ismaili diskutuan bashkëpunimin ndërinstitucional për reformat dhe përmbushjen e angazhimeve të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Sipas njoftimit, ata shprehën gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit, duke respektuar mandatin dhe pavarësinë e BQK-së.


