Analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e Adem (Fazli) Ademit, Fatmir (Bajram) Fazliut dhe Ali (Islam) Halitit, pjesëtarë të “Grupit të Intelektualëve”, njoftoi të martën kryeministri Albin Kurti.
Identifikimi u bë nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Kurti tha se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet përkatëse i kanë njoftuar familjet.
Sipas Kurtit, të tre u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe në prill të vitit 1999 dhe u zhdukën me dhunë. «Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta», tha ai.
“Në vijim priten identifikime të tjera, për të cilat do të njoftohen fillimisht familjet përkatëse”
Gërmimet në Kalludër dhe Jabukë nisën më 28 korrik 2026 dhe zgjatën katër javë. Gjatë tyre u gjetën mbetje mortore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 personave.
«Për mua, prej sot përfundon pyetja ‘ku është?’. Tani e di ku e kam», tha Lutfije Ademi Vokshi, motra e Adem Ademit.




