Kosova dhe Italia kanë rënë dakord të nisin punën për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave, njoftoi Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) pas një takimi në Romë. Takimi u zhvillua gjatë pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film.
Në takim morën pjesë drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala, dhe Giorgio Carlo Brugnoni, drejtor i përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë.
Diskutimet trajtuan forcimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike mes dy vendeve. Sipas QKK-së, marrëveshja synon të krijojë mundësi për projekte të përbashkëta, bashkëpunim mes industrive filmike dhe shkëmbim profesional e artistik.



