Biblioteka Kombëtare e Kosovës priti aktivitete të Javës së 26-të të Gjuhës Italiane në Botë, të organizuara nga Ambasada e Italisë në Prishtinë deri më 30 tetor.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, inauguroi një hapësirë me libra në gjuhën italiane, të dhuruar nga Bibliotekat Civike të Torinos. Profesori Lorenzo Coveri prezantoi botimin e Akademisë së Gjuhës Italiane “Accademia della Crusca”, “Lingua gentile, lingua geniale: ideare, progettare, creare con l'italiano”.
Në bibliotekë u hap edhe një ekspozitë për jetën dhe veprën e Leonardo da Vinçit, e përgatitur nga ambasadori Stefano Baldi dhe e përkthyer në shqip. Ekspozita pritet të prezantohet edhe në shkolla e universitete në Kosovë.
Programi përfshinte aktivitete për fëmijë në Prishtinë dhe pjesëmarrjen e nxënësve të shkollës “Avni Rrustemi” nga Mramori. Përmbyllja ishte paraparë më 30 tetor, me shfaqjen e filmit italian “Pane e tulipani” në institutin Sekhmet në Prishtinë.




