Personeli mjekësor i KFOR-it dhe ushtarët e Komandës Rajonale-Lindje zhvilluan trajnim të përbashkët për evakuime mjekësore dhe operacione me helikopterë, njoftoi misioni.
Ushtrimet përfshinë procedurat e bartjes së pacientëve, si dhe zbritjen dhe ngritjen e tyre me helikopter.
KFOR-i tha se trajnimi synon të forcojë bashkëpunimin, sigurinë e aviacionit dhe gatishmërinë mjekësore, për të mundësuar trajtimin e të lënduarve nga vendi i lëndimit deri te nivelet më të larta të kujdesit shëndetësor. Misioni përsëriti përkushtimin për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për banorët e Kosovës, në përputhje me mandatin e OKB-së.




