KFOR-i njoftoi të premten se gjenerali Alexus G. Grynkewich ka vizituar Kosovën dhe është takuar me komandantin e misionit, Roberto Vergori.

Grynkewich, Komandant Suprem i Aleatëve në Evropë (SACEUR), dhe Vergori diskutuan për optimizimin e KFOR-it. Sipas njoftimit, ky proces mbështetet në vlerësimin e zhvillimeve pozitive në mjedisin e sigurisë.

KFOR-i tha se çdo ndryshim në madhësinë ose përbërjen e misionit do të bëhet gradualisht dhe në mënyrë të kalibruar, bazuar në vlerësimet e vazhdueshme në terren. Përshtatjet do të mbeten të kthyeshme nëse zhvillimet ndikojnë në sigurinë lokale ose stabilitetin rajonal.

Gjatë vizitës, dy gjeneralët u takuan edhe me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të Listës Serbe. Ata zhvilluan takime edhe me përfaqësues fetarë në Manastirin e Graçanicës.

KFOR-i tha se vizita riafirmoi angazhimin e NATO-s për stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Misioni do të vazhdojë të kontribuojë për sigurinë dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij nga OKB-ja.

Njoftimi nuk jep datat e takimeve ose emrat e përfaqësuesve të institucioneve, Listës Serbe dhe komuniteteve fetare.