Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se Policia nuk mund ta mbajë patentë-shoferin më shumë se 8 ditë, edhe kur masa e ndalimit të drejtimit të automjetit zgjat më shumë.

Vendimi u mor në një konflikt administrativ, pas padisë së 28 paditësve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës. Gjykata e aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë për shfuqizimin e aktit nënligjor.

Duke iu referuar nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, Gjykata vlerësoi se marrja e përkohshme e patentë-shoferit dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit janë dy institute të ndryshme juridike. Sipas saj, mbajtja e dokumentit deri në përfundimin e masës, e cila mund të zgjasë më shumë se 8 ditë, bie ndesh me ligjin.

Kthimi i dokumentit fizik nuk e anulon masën e ndalimit të drejtimit. Shoferi nuk fiton të drejtën të drejtojë automjetin gjatë kohës sa masa është në fuqi.

Gjykata Supreme refuzoi kërkesën për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ. Ajo i vlerësoi këto dispozita si procedurale dhe organizative, pasi përcaktojnë njësinë policore përgjegjëse për dokumentin dhe lëshimin e vërtetimit për marrjen e tij.