Gjykata e Apelit në Prishtinë e mbajti të mbyllur për publikun seancën ku shqyrtohen ankesat ndaj dënimeve për vrasjen e Liridona Ademajt, më 29 tetor.
Kryetari i Kolegjit të Apelit, Mentor Hajra, tha se seanca do të vazhdonte e mbyllur për shkak të rrethanave të rastit dhe raporteve familjare të palëve. «Arsyet pse seanca do të vazhdojë e mbyllur, do t’i japë kolegji pasi publiku të largohet nga salla», tha Hajra.
Në seancë shqyrtohen ankesat e Prokurorisë Themelore, mbrojtësve të të dënuarve dhe avokatit të palës së dëmtuar, Leutrim Sylaj. Prokuroria dhe pala e dëmtuar janë ankuar për dënimin e Kushtrim Kokallës dhe kanë kërkuar burgim të përjetshëm për të.
“S’ka asnjë arsye ligjore që seanca e Apelit në rastin e Liridona Ademajt mos me qenë publike.”
Gjykata Themelore në Prishtinë i dënoi më 21 prill 2026 Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kokallën me 30 vjet burgim.
Juristja Flutura Kusari e kritikoi vendimin për mbylljen e seancës. «S’ka asnjë arsye ligjore që seanca e Apelit në rastin e Liridona Ademajt mos me qenë publike», tha ajo.
Arsyetimi i Kolegjit për bazën ligjore të mbylljes nuk është bërë i ditur. Edhe rezultati i shqyrtimit të ankesave nuk është bërë i ditur.



