Danimarka po paralajmëron rishikimin e programit të trajnimit për gardianët kosovarë, pasi dy prej tyre dyshohen se ushtruan dhunë ndaj një të burgosuri në Kopenhagë. Incidenti ndodhi më 5 tetor në burgun Vestre dhe rasti iu referua policisë daneze.
Dy gardianët, 24 dhe 29 vjeç, dyshohen se e goditën të burgosurin në qelinë e tij. Njëri dyshohet se e shtyu mbi shtrat dhe e goditi një herë në fytyrë, ndërsa tjetri disa herë në fytyrë dhe trup. Të dy i mohojnë akuzat.
Ata u arrestuan më 6 tetor. Gjykatat daneze refuzuan kërkesën e prokurorisë për paraburgim, duke vlerësuar se nuk kishte rrezik të konsiderueshëm arratisjeje. Gjykata e Lartë e Danimarkës Lindore e la në fuqi vendimin më 9 tetor.
“Ky institucion nuk komenton raste individuale, por akuzat për dhunë ndaj të burgosurve janë serioze dhe janë ndërmarrë hapat e nevojshëm”
«Ky institucion nuk komenton raste individuale, por akuzat për dhunë ndaj të burgosurve janë serioze dhe janë ndërmarrë hapat e nevojshëm», tha Shërbimi Korrektues i Danimarkës në përgjigje me shkrim.
Shërbimi Korrektues i Kosovës tha se nuk mund të japë informacione, pasi rasti është nën hetim. Nuk është konfirmuar nëse gardianët janë pezulluar ose nëse Danimarka ka marrë vendim zyrtar për rishikimin e programit. Hetimet vazhdojnë dhe nuk ka vendim përfundimtar gjyqësor.
Programi lidhet me marrëveshjen mes Kosovës dhe Danimarkës, e cila parasheh transferimin e deri në 300 të burgosurve nga burgjet daneze në institucionin korrektues të Gjilanit.



