AUV-ja ka ndaluar përkohësisht qarkullimin dhe ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të 2 produkteve të mishit të ngrirë të pulës nga Brazili, pasi mostrat rezultuan pozitive për Salmonella Minnesota.
Masat përfshijnë Coopavel, me numër aprovimi SIF 3887 dhe LOT R-14427, si dhe Superfrango, me numër aprovimi SIF 3404 dhe LOT R20598. Të dy produktet janë importuar nga kompania “Apetit” SHPK. Ato janë vendosur nën kontroll zyrtar.
AUV-ja u ka bërë thirrje konsumatorëve që i kanë këto lote të mos i konsumojnë dhe t’i kthejnë në pikat ku i kanë blerë. Sipas agjencisë, Salmonella Minnesota është një serotip patogjen i bakterit Salmonella enterica dhe mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale.
Kontrollet e jashtëzakonshme, të urdhëruara nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, po vazhdojnë. Ato përfshijnë gjurmimin e produkteve nga hyrja në Kosovë deri te pikat e shitjes, përcaktimin e sasive të shpërndara dhe të stokut, si dhe verifikimin e etiketimit dhe certifikatave veterinare.
Nuk është bërë e ditur sa produkte janë importuar, shpërndarë apo kanë mbetur në stok. Gjithashtu, nuk janë dhënë datat e marrjes së mostrave dhe rezultatet e plota laboratorike, apo nëse janë raportuar raste sëmundjeje te konsumatorët.


