Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, u takua me ministrin e Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, për të diskutuar ecurinë dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, njoftoi Ambasada e Shqipërisë në Kosovë.
Në takim u diskutua edhe rëndësia e bashkëpunimit për synimin e përbashkët të integrimit evropian. Malaj theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës, veçanërisht të përvojës së Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Malaj shoqërohej nga këshilltari Kastriot Noli. Të pranishëm ishin edhe zëvendësministri Ali Dula dhe anëtarë të stafit këshillues të ministrit.
Palët u dakorduan që Shqipëria të vazhdojë mbështetjen për nismën e ministrisë lidhur me një marrëveshje bashkëpunimi. Ata u pajtuan gjithashtu të identifikojnë dhe realizojnë projekte të përbashkëta ndërkufitare.



