Kuvendi i Komunës së Gjilanit shqyrtoi raportin financiar për janar–shtator 2026 në seancën e nëntë të rregullt të këtij viti, të udhëhequr nga kryesuesja Krenare Latifi Kqiku.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, tha se të hyrat vetanake kaluan 4,2 milionë euro, mbi 73 për qind të planit vjetor. Shpenzimet e përgjithshme për periudhën arritën në 33,3 milionë euro.
Në seancë u shqyrtua edhe propozimi për shpalljen e interesit të ligjshëm publik për sigurimin e tokës që nevojitet për zgjerimin e varrezave të fshatit Lladovë. U prezantua po ashtu propozimi për subvencionimin e ndërmarrjeve publike “Stacioni i Autobusëve” dhe “Tregu”.
Në seancë u prezantua edhe informata për fillimin e vitit shkollor 2026/2027. Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimozë Kadriu-Qerimi, tha se QKMF-ja e Gjilanit ofron mamografi falas që nga viti 2023. Kuvendi mbajti një minutë heshtje në nderim të Arlinda Zekajt.



